Lëvizja Atdheu është një lëvizje politike, patriotike që vjen në spektrin politik shqiptar në një kohë kur vendi po kalon një fazë të gjatë, të lodhshme e pothuaj anarkike tranzicioni. Ajo i prezantohet elektoratit shqiptar sot si një lëvizje politike që i përgjigjet dinamikave dhe zhvillimeve të jashtzakonshme lokale, rajonale dhe ndërkombëtare me të gjitha specifikat dhe sfidat që përfaqësojnë këto zhvillime. Pas një pune serioze dhe intensive 10 vjeçare, ajo shpalos sot një alternativë ndryshe: reale, premtuese dhe progresive. Ne i mirëpresim ndryshimet pozitive në Shqipëri, por mendojmë se institucionet shtetërore janë ende të dobëta, larg standardeve të shtetit ligjor dhe demokratik dhe shumë larg nevojave të qytetarëve. Ekzistojnë fakte të shumta të cilat tregojnë qartë dekompozimin e brendshëm të shtetit dhe të regjimit i cili nuk respekton ligjin, parimet dhe vlerat themeloree të lirisë dhe të Demokracisë.
Ky konkluzion i dhimbshëm, është pasuruar vazhdimisht nga faktorë të brendshëm. Psikologjia anti-kombëtare po shfaqet dhe synon të injorojë rolin e patriotëve të vërtetë dhe intelektualëve dhe po përpiqet t’i mbajë ata në heshtje duke ua dhënë kështu mundësinë që të dominojnë populistët, militantët dhe avokatët e së keqes. Fenomenet negative si korrupsioni, krimi i organizuar, trafiqet, monopolet, ekonomia informale, shpopullimi, kontrolli i mediave, demagogjitë, keqinformimi i opinionit publik etj, kanë shkaktuar një rreth konfidence dhe një tendencë për të shkatërruar psikologjinë kombëtare. E keqja vazhdon të jetë më e organizuar sesa liria dhe demokracia; ajo është duke menaxhuar shkatërrimin e ekonomisë tonë, moralit tonë, psikologjisë tonë, intelektit tone. Ka shkaktuar emigrimin e trurit të kombit dhe forcave aktive të punës dhe cënon seriozisht sovranitetin e Shqipërisë. Për momentin, politika e konfliktit, e të pandershmes, e betejës brutale për të ardhur në pushtet e për të mos e lëshuar më atë, ka krijuar një klimë antagonizmi, dhune dhe pasiviteti ndër shqiptarët. Për më tepër, kjo situatë e pashpresë ka shkaktuar reaksione negative, humbjen e shpresës, arratinë e shqiptarëve nga vendlindja e tyre, si dhe zbehjen e ndjenjave kombëtare. Siç mund të vihet re, klasa aktuale politike nuk e konsideron politikën si artin e ngritjes së shtetit dhe të institucioneve të tij, apo si mirëqeverisje, por si një luftë klanesh për kontroll dhe si një mënyrë të shpejtë për t’u pasuruar.
Paqëndrueshmëria e institucioneve të dobëta shtetërore është tregues i boshllëkut historik, i cili kërcënon të vrasë ndjenjat e patriotizmit dhe idealet kombëtare. Vihet re një mungesë e theksuar harmonie ndërmjet shtetit dhe kombit, autoritetit politik dhe kombëtarisë, gjë e cila kultivon krizën e besimit mes shqiptarëve. Historia na tregon se kur shteti dhe kombi janë të bashkuar, kur autoriteti politik dhe kombëtaria janë në harmoni mes tyre, këta faktorë kanë krijuar stabilitet dhe forcë për shqiptarët. Pavarësisht përpjekjeve për të shkaktuar konflikte politike, krahinore, madje edhe fetare, populli shqiptar, falë urtësisë së tij të dhuruar nga Zoti dhe instinkteve të tyre natyrale, kanë arritur tradicionalisht t’i shkatërrojnë këto përpjekje të cilat synojnë t’i mbajnë shqiptarët të dobët dhe të përçarë. Levizja Atdheu beson se Shqipëria posedon resurse humane, materiale shpirtërore dhe morale. Ajo është një vend i pasur me një pozitë gjeografike të jashtëzakonshme, me një bio-diversitet të veçantë dhe shumë resurse e vlera të tjera. Ne i mirëpresim dhe i mbështesim mendimet, idetë dhe angazhimet e intelektualëve, idealistëve dhe patriotëve të cilët përfaqësojnë forcën shpirtërore për të krijuar komb dhe shtet dhe për të çuar përpara qytetërimin dhe progresin. Për të arritur misionin e saj, Lëvizja Atdheu udhëhiqet nga këto vlera themelore:
Lëvizja Atdheu është një lëvizje e ndërtuar mbi themelet e vlerave atdhetare, autoktone, autentike, autonome dhe patriotike të Kombit Shqiptar. Vlera këto që janë trashëguar përgjatë shumë shekujve nga ky popull dhe që nuk bien ndesh me vlerat universale njerëzore. Vlerat parimore universale dhe kombëtare të Lëvizja Atdheu vijojnë si më poshtë;
Zoti: Lëvizja Atdheu beson se Zoti është i vetmi ekzistent (shenjtëri) që ndjehet, perceptohet nga llogjika elementare njerëzore dhe besohet si Projektues i Ekzistencës, pa të cilin Universi nuk do të ekzistonte. Kombi Shqiptar e ka trashëguar besimin në Zot (secila pjesë e anëtarësisë së Kombit me format dhe mënyrat e veta, kryesisht nëpërmjet feve monoteiste abrahamike) dhe e transmeton atë si një vlerë të panegociueshme universale brez pas brezi ndër shekuj që prej ekzistencës tonë si Komb e deri në ditët e sotme. Lëvizja Atdheu mbron, kultivon, mbështet dhe e konsideron të shenjtë bashkëekzistencën, harmoninë dhe vëllazërinë tonë fetare si një prej vlerave më të çmuara që e trashëgojmë nga thellësistë e shekujve dhe të historisë dhe e konsideron vijë të kuqe prishjen dhe dëmtimin e kësaj pasurie të çmuar të anëtarësisë së Kombit.
Jeta: Lëvizja Atdheu beson bindshëm se jeta është dhurata më e shenjtë dhe pasuria më e madhe që i është dhënë njeriut në këtë botë dhe si e tillë ajo duhet respektuar dhe çdo shqiptar dhe çdo njeri mbi sipërfaqen e tokës ka të drejtën e tij themelore që t’i mbrohet jeta dhe të ketë një jetë me dinjitet. Njeriu prej origjines së tij, zotëron të drejtën e jetës dhe të lirisë dhe askush nuk ka të drejtë t’ia marrë jetën askujt cilido të jetë motivi. Ndaj Lëvizja Atdheu është themeluar dhe ka prej qëllimeve të saj themelore dhe të shenjta të sigurojë jetë dinjitare për çdo bashkëkombas shqiptar duke i marrë fillimisht nën mbrojtje ato jetë dhe më pas duke luftuar politikisht nëpërmjet mënyrave demokratike, për të siguruar një jetë dinjitare për ta në Tokën dhe në Adheun e tyre, Shqipërinë. Lëvizja Atdheu, kujdeset edhe për për ata shqiptarë që janë shpërngulur me dëshirën dhe pa dëshirën e tyre jashtë Shqipërisë për në emigrim dhe lufton për të drejtën e votës së tyre me të gjitha rrugët ligjore dhe kushtetuese. Familja; Lëvizja Atdheu e sheh familjen si një organizim shoqëror të shenjtë dhe për rrjedhojë si bërthama, thelbi, streha dhe burimi i domosdoshëm për ekzistencën e njerëzimit dhe të Kombit Shqiptar. Për Lëvizjën Atdheu ashtu sikur Zoti dhe Jeta, edhe Familja është pjesë e paketës së shenjterive të domosdoshme që përcakton përfundimisht të tashmen dhe të ardhmen e Kombit Shqiptar.
Familja tradicionale ka qenë kohët e fundit target i stuhive të forta gati-gati shkatërruese neoliberale, që kanë për qëllim destabilizimin e bërthamës dhe të qelizës bazë të shoqërisë njerëzore. Lëvizja Atdheu e mbron Familjen Tradicionale dhe e promovon atë, si të vetmen njësi bazë natyrale dhe model jetese që garanton vijimësinë e ekzistencës së shoqërisë njerëzore dhe për rrjedhojë edhe të Kombit Shqiptar. Atdheu; Eshtë toka e të parëve, është arkiva e eshtrave të tyre të pluhurosura dhe të bëra një me dheun, është depoja më e madhe dhe më besnike e identitetit, e kulturës dhe e historisë tonë kombëtare. Eshtë dheu i ujitur me gjak martirësh dhe me djersë dalëzotësish prej të cilëve ka mbirë fara, mishi dhe kocka e pjesës më të madhe të anëtarësisë së Kombit. Atdheu është toka e shpërlarë me lotët e dhimbjes shekullore që i shpërtheu padrejtësia dhe ushtritë e shekujve. Ai u mbrojt me gjak e sakrifica të pashëmbullta luftëtarësh dhe me mundin e pakrahasueshëm të etërve të Kombit të trashëguar brez pas brezi në qindra dhe mijëra vjeçarët që kanë kaluar.
Për Lëvizjen Atdheu, Atdheu është i shenjtë dhe çdo sakrificë për mbrojten, zhvillimin, progresin dhe emancipin e Atdheut është detyra parësore, kryesore dhe e detyrueshme për cilindo individ që lind, trashëgon dhe me zgjedhje të lirë identifikohet me pasurinë e vlerave dhe me identitetin tonë kombëtar. Liria; Lëvizja Atdheu e sheh lirinë e individit si të shenjtë dhe si të drejtë të ngarkuar tek gjenetika e çdo individi mbi sipërfaqen e tokës (prej ditës që vjen në këtë botë) për rrjedhojë edhe të individit shqiptar. Individi pa lirinë e humb sensin e përgjegjësisë së tij individuale, sociale dhe njerëzore sikurse humbet të drejtën e tij themelore në ekzistencë që është liria për të zgjedhur, për të vepruar dhe për të ushtruar jetën sipas një modeli dhe mënyre që ai e zgjedh vetë për veten, për sa kohë ajo mënyrë nuk bëhet imponuese për jetët e të tjerëve, për sa kohë nuk i prek dhe nuk i shkel liritë e të tjerëve dhe për sa kohë është në përputhje me frymën e Kushtetutës dhe të kushtetutave të popujve të botës së lirë.
Ndaj Lëvizja Atdheu e sheh lirinë e individit si shenjtëri për individin dhe për shoqërinë. Prona private dhe Pasuria; Lëvizja Atdheu e sheh të drejtën e pronësisë dhe të pasurisë së individit si të drejtë bazike për jeten e tij. Ajo në parimet e saj përpiqet që çdo individ me djersën, me punën dhe me të drejtat ligjore të grumbullojë prona dhe pasuri pa cënuar pasurinë e tjetrit. Cështja e pronave në Shqipëri është prej çështjeve më të ndjeshme dhe më të komplikuara që është lënë e tillë qllimisht për t’i hapur rrugën manipulimit, mashtrimit, falsifikimit, vrasjes së pronarëve të vërtetë dhe për të mbajtur peng zhvillimin e vendit, pasi mungesa e një formule të drejtë për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së pronave në Shqipëri, pengon zhvillimin e mëtejshëm të atyre pronave, investitorët lokalë apo të huaj strategjikë, për arsye të paqartësisë dhe të mbivendosjes tek titujt e pronësisë. Lëvizja Atdheu ka një plan të qartë për zgjidhjen e plotë të këtij problemi, duke patur parasysh mbrojtjen e të drejtës dhe të shenjtërisë së pronës por dhe shmangjen e një konflikti civil ndërmjet ish pronarëve dhe pronarëve të rinj për arsye të mbivendosjeve pronësore, sepse kjo do të destabilizonte kohezionin tonë kombëtar, bashkezistencën tonë paqësore civile dhe të ardhmen tonë si Komb duke na futur në një spirale urrjetje krahinore dhe konflikti civil që është ushqyer përgjatë 30 viteve nga klasa politike e vjetër shqiptare për nevojat e saj të përçarjes dhe të sundimit.
Interesi dhe Siguria publike; Lëvizja Atdheu ka tek themeli i parimeve të saj interesin madhor publik dhe sigurinë publike të shqiptarëve. Ajo e shikon atë të ndërlidhur me interesin dhe sigurinë e individit njëkohësisht dhe beson fuqimsiht se nuk mund të ketë jetë dinjitare dhe zhvillim të interesave shoqërore dhe individuale në një shoqëri ku nuk garantohet interesi dhe siguria publike.
Siguria është granacia më e madhe për stabilitet shoqëror, kulturor, ekonomik dhe mental të shoqërisë dhe të individit shqiptar dhe si e tillë ajo konsiderohet e shenjtë dhe e pacënueshme prej askujt. Lëvizja Atdheu ka përgatitur një sërë nismash ligjore, që godasin më dorën prej hekuri të Drejtësisë çdo dorë që do të tentojë të destabilizojë interesin dhe sigurinë publike të qytetarëve shqiptarë.
Liria e Shprehjes dhe e Mendimit; Lëvizja Atdheu beson se ndër pasuritë më të mëdha që ndihmon në zhvillimin e shpejtë të një Kombi, është liria e shprehjes dhe e mendimit. Por njëkohësisht, manipulimi, mashtrimi, prekja e shenjtërive të njerëzve, prekja e shenjtërive kombëtare apo çfarëdo qofshin ato shenjtëri që gëzojnë konsensus mbarë shoqëror dhe mbarëkombëtar si dhe imponimi i mendimit me mënyra të dhunshme është i refuzuar dhe i papranueshëm. Ndaj, ajo është e gatshme të marrë nën mbrojtje lirinë e mendimit dhe të shprehjes nëpërmjet krijimit të kushteve kulturore dhe arsimore që ta projektojë dhe ta ndërtojë intelektin e individit dhe të shoqërisë duke u bazuar tek vlerat universale dhe tek ato kombëtare shqiptare.
Shkolla shqiptare dhe brezi i ri i shqiptarëve që do të jenë e ardhmja e Kombit gjënden sot plotësisht të shpartalluar nga një turbokulturë neoliberale pa identitet që po shpërfytyron qelizën bazë të shoqërisë duke e përfshirë atë tek labirintet pa dritë të neoliberizmit që prodhon shqyerjen identitare të individit të dorëzuar ndaj rrymës. Kombi; Lëvizja Atdheu, çdo individ që zotëron nënshtetësi të Republikes së Shqipërisë dhe çdo shqiptar në çdo cep të botës që e aspiron atë nënshetësi, e sheh si pjestar të natyrshëm të Kombit dhe të familjes së saj politike.
Flamuri Kombëtar; Për Lëvizjen Atdheu Flamuri Kombëtar është simbolika më e lartë përbashkuese e Kombit Shqiptar. Ai është simbolika që përfaqëson tërësinë e vlerave dhe të historisë së Shtet-Kombit Shqiptar në çdo cep të botës. Shkurtimisht, LA e shikon flamurin kombëtar si një simobol përfaqësues që i përshtatet dhe përfaqëson çdo bashkëkombas shqiptar brenda dhe jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë dhe si i tillë ai ka shenjtërinë, vlerën dhe simbolikën e tij të paprekshme, që mbrohet me kushtetutë, me ligj dhe me frymë e zakon.
Shteti; Për Lëvizjen Atdheu, Shteti është entiteti më i lartë rregullator i një shoqërie. Ai është pronë e të gjithë shqiptarëve, që i shërben çdo nënshtetasi shqiptar dhe çdo nënshtetasi të huaj me qëndrim të ligjshëm në territorin shqiptar. Shteti është entitet me autoritet absolut i cili garanton për individin shqiptar siguri, drejtësi dhe klimë paqësore për të ushtruar lirshëm aktivitetin e tij njerëzor, si dhe i pergjigjet atij në Shqipëri dhe në çdo cep të botës, sa herë ai të ketë nevojë për mbështetjen dhe asistencën e shtetit. Për LA shteti është tërësia e nënpunësve të administratës shtetërore, shërbëtorët e shtetit dhe të popullit të tyre që kanë lidhur kontratë të shenjtë për t’i shërbyer çdo nënshtetasi shqiptar pa dallim feje, krahine a ideje dhe jo për t’i shërbyër partisë që e ka emëruar në atë detyrë shtetërore. Kështu pra të gjithë punonjësit e shtetit nuk janë të punësuar tek pronat e familjeve të tyre, por janë të besuarit e shtetit tek zyrat që janë në pronësi të popullit dhe jo të partisë në pushtet. Si i tillë shteti ka shenjtërinë e tij si dhe punonjësi i shtetit, për sa kohë ai është në shërbim të pakursyer të çdo shtetasi shqiptar.
Ekonomia; Lëvizja Atdheu e vlerëson ekonominë e çdo individi si mjetin më të rëndësishëm dhe kollonën vertebrale për të siguruar kushtet dinjitare të jetesës në vendin tonë. Ashtu sikur pavarsia e individit është e lidhur me ekonominë ashtu edhe pavarësia e shtetit dhe sovranizmi i tij është e lidhur me ekonominë. Sepse nuk mund të ketë sovranitet politik pa sovranitet ekonomik. Lëvizja Atdheu synon dhe angazhohet që shteti shqiptar për të siguruar të ardhurat e mjaftueshme për të ofruar më pas shërbimet e nevojitura për shtetasit shqiptarë, duhet t’u japë përparësi fillimisht shfrytëzimit të burimeve natyrore kombëtare. Duhet të anagzhohemi seriozisht për të luftuar ekonominë e përqëndruar të monopoleve, shkuljen e shtetit nga duart e dhjetë oligarkëve pranë qeverisë, nxitjen e prodhimit vendas, goditjen e importeve që shkatërrojnë prodhimin vendas, nëpërmjet politikave të subvencionimit për prodhimin vendas, mbështetjen e eksporteve, mbështetjen e bujqëisë, të turizmit, krijimit të klimës dhe të kushteve ligjore dhe pronësore për investitorët e mëdhenj strategjikë, lehtësimi i procedurave burokratike për investitorët e huaj që janë krijuar për të mbjellë korrupsion e rryshfet, si dhe nxitja e trurit dhe e inteligjencës shqiptare që të ndjekë ritmet më të fundit të teknologjisë, të botës digjitale, të inteligjencës artificiale dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare. Prona Publike; Për Lëvizjen Atdheu prona publike është pasuri e përbashkët e çdo nënshtetasi shqiptar. Ajo nuk përvetësohet, nuk trashëgohet, nuk përdoret dhe nuk shfrytëzohet për interesa individuale, partiake apo për interesa të grupeve të ngushta të interesit. Ajo ruhet, mirëmbahet, zhvillohet dhe pasurohet për t’i shërbyer çdo nënshtetasi (interesit publik) pa dallim dhe i trashëgohet brezave të ardhshëm në mënyrën më të mirë. Pozita Shtetërore; Lëvizja Atdheu ruan tek karta e vlerave të saj besimin e plotë se çdo pozitë shtetërore është amanet i popullit shqiptar për individin që e ushtron atë detyrë, amanet të cilin populli ia beson një individi, apo organizate politike, qa ta përdorë në dobi të popullit në dobi të interesave të larta të Kombit dhe jo për interesat e tij personale. Ndaj Lëvizja Atdheu i jep besën çdo nënshtetasi shqiptar se çfarëdo që ai t’i lerë amanet Lëvizjes Atdheu prej zyrave dhe pozitave shtetërore ajo do ta ruajë si sytë e ballit dhe do ta përdorë atë vetëm për të përmbushur interesat e larta të shqiptarëve dhe në dobi të Kombit Shqiptar.
Marrëdhëniet Ndërkombëtare; Lëvizja Atdheu në botëkuptimin e mendimit të saj i shikon marrëdhëniet ndërkombëtare njëlloj si tregëtia, që asnjë herë dhe në asnjë rast nuk bën pazare në dëm të tregëtarit. Pra Lëvizja Atdheu nuk ulet në asnjë tryezë ndërkombëtare, shtetesh apo lobesh, apo fondacionesh e organizatash, në të cilën mund të jetë në diskutim shpërdorimi i interesave të larta të Kombit dhe të popullit shqiptar. Lëvizja Atdheu i qëndron besnike marrëdhënieve të shkëlqyera me aleatët strategjikë të Kombit Shqiptar, siç janë SHBA-të, Bashkimi Evropian dhe të gjitha vendet e tjera që na ofrojnë miqësi strategjike siç janë Italia, Turqia dhe Greiqa, duke i njohur Shqipërisë të drejtën për të mos u ndalur në kërkimin e reciprocitetit në marrëdhëniet ndërshtetërore dhe në korigjimin e padrejtësive të trashëguara nga e shkuara. LA i rrit dhe i forcon ato lidhje, por ulet në tryeza me palët ndërkombëtare mike dhe jo domosdoshmërisht të tilla, duke patur busull të orientimit të saj interesat strategjike të Kombit dhe të popullit shqiptar.
Lëvizja Atdheu e shikon Shqipërinë në lojën e re të kombeve si një shtet të vogël, por me mundësi të mëdha të zhvillimit të marrëdhënieve ndërkombëtare. Kjo bëhet duke përmbushur me përpikmëri detyrat që rrjedhin prej angazhimeve të saj ndërkombëtare, prej traktateve dhe aleancave politike, ushtarake dhe qytetërimore ku ajo bën pjesë, duke i rezervuar Shqipërisë të drejtën për të mos u bërë pjesë, as mbështetëse, as nxitëse, as investitore e konfliketeve në zona të tjera të botës, ndërmjet shteteve të tjera dhe ku nuk janë në lojë interesat e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Lëvizja Atdheu e sheh Republikën e Shqipërisë duke ndërtuar marrëdhënie me të gjitha ato shtete dhe popuj që janë të gatshëm të rezervojnë miqësi, reciprocitet dhe ofrojnë garanci për interesat e shqiptarëve. ‘LA’ ka në fokus të orientimit të saj të përgjithshëm strategjik në politikën e jashtme dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare, (si një shtet i pafuqishëm për të prodhuar gjeopolitikë), krijimin e klimës dhe të kushteve optimale për të ndërtuar dhe për të kultivuar marrëdhënie të shkëlqyera veçanërisht me fqinjët e saj, pasi besojmë se komshiu është po aq i rëndësishëm sa shtëpia. Por, kjo nuk mund dhe nuk duhet të ndodhë pa angazhimin e vullneteve të përbashkëta shtetërore për të korigjuar padrejtësistë e të kaluarës dhe mbi kurrizin e të drejtave të pakontestueshme historike të popullit shqiptar në Camëri, të shqiptarëve në Dardani, në Iliridë dhe në Mal të Zi. Lëvizja Atdheu vijon ta shohë me interes të lartë proçesin e integrimeve evropiane dhe realizmin e ëndrrës madhore për një Shqipëri si e gjithë Europa, që iu ushqye shqiptarëve nga politika 30 vjeçare e mashtrimit, për integrim evropian dhe nuk bëjmë pjesë tek euroskeptikët.
Por deri sa të krijohen kushtet për integrimin e plotë të Shqipërisë në Familjen Evropiane, zhvillim të cilin e diktojnë edhe zhvillimet e mëdha globale pas agresionit rus në Ukrainë, ne përkrahim angazhimin për përafrimin e proçesit të Bashkimit Kombëtar nëpërmjet përshpejtimit të proçeseve integruese ndërshqiptare, afrimin e mëtejshëm të shqiptarëve me njëri-tjetrin dhe koordinimin e interesave strategjike në kushtet gjeopolitike të momentit historik nëpër të cilin po kalon rajoni dhe bota. Ne besojmë se interesat madhore të shqiptarëve do të sigurohen në tryezat ndërkombëtare vetëm atëherë kur dinamikat e integrimeve politike, kulturore, shtetërore dhe ekonomike ndërshqiptare, brenda proçesit të bashkimit dhe të përafrimit kombëtar ndërmjet tyre, të jenë dominante ndaj tentativave të lojtarëve të Serbisë në shtetet e shqiptarëve për të ofruar formula të tjera të bashkëpunimit dhe të kooperimit rajonal që e sigurojnë rikthimin e hegjemonisë dhe të domonancës së Beograsdit në rajon, siç ishin nisma “Ballkani i Hapur” apo “Minishengeni Ballkanik” si dhe nisma të tjera që tashmë kanë shpallur dhe deklaruar falimentimin e tyre.
Betimi; Për Lëvizjen Atdheu dhënia e Besës është Betimi më i lartë që ajo bën në Zot, ndaj ajo betohet në Besë se; ‘’Për Hir të Perëndisë do të jem në Shërbim të Shqipërisë’’ Shkurtimisht Lëvizja Atdheu; ⮚ Eshtë themeluar nga një grup nënshtetasish dhe intelektualësh shqiptarë të cilët janë angazhuar vullnetarisht në këtë organzim politik që ka për qëllim përballjen me sfidat e rrezikshme të momentit historik, që po kalojnë shqiptarët, me shpopullimin, arratinë, dekompozimin e shtetit dhe falimentimin. Ata janë një grusht shqipëridashësish të frymëzuar nga vlerat, parimet, normat, kodet, këndvështirmet, hulumtimet, qasjet, studimet, analizat më të mira të bazuara tek kultura dhe filozofia politike atdhetare, patriotike, autoktone, autentike, autonome e kombit shqiptar si pjesë e arsenalit tonë pozitivist të trashëgimisë kulturore, identitare dhe politike dhe aspak si qasje nacionaliste, raciste, ksenofobe, fashiste dhe urrejtëse për popujt dhe kombet e tjera të njerëzimit. LA i sheh ato popuj e kultura si pasuri plotësuese për njëra-tjetrën në mozaikun e plotë të trashëgimisë së qytetërimit botëror. Kjo lëvizje përbëhet nga shqiptarë me vullnet dhe fizionomi të lirë të mendimit, motivues dhe shpresëdhënës, të cilët janë të pakënaqur dhe të revoltuar me zhvillimet dhe me dinamikat e proçeseve të përgjithshme politike, shoqërore, kulturore, ekonomike, si dhe të zhvillimeve sociale në Republikën e Shqipërisë. ⮚ Para së gjithash dhe mbi të gjitha, Lëvizja Atdheu ka për mision, vizion, motiv, qëllim dhe synim madhor kontributin e pandërprerë për interesin e përgjithshëm shoqëror e kombëtar shqiptar. ⮚ Lëvizja Atdheu është një formacion politik që përfaqëson aspiratat politike dhe të gjitha vlerat dhe traditat e qytetarisë të të gjitha shtresave të popullit shqiptar, pa dallim krahine, gjinie, feje apo anagzhimeve të tyre civile.
Ne si formacion politik i organizuar sipas ligjeve dhe frymës së Kushtetutës së Republikes së Shqipërisë besojmë në fuqinë e lirisë së patjetërsueshme të individit, të fjalës së lirë, të shprehjes së mendimit kritik dhe të iniciativës civile dhe qytetare. Gjithashtu kundërshtojmë me vendosmëri të gjitha përpjekjet për pengimin, zhvleresimin dhe tjetërsimin e lirive themelore të njeriut. Bashkësia e shqiptarëve te ne dhe Lëvizja jonë mbështetet në besimim tek Zoti, tek dashuria dhe respekti për Atdheun, Kombin, Shtetin dhe Familjen. Çdo përpjekje për të ndryshuar apo zëvendësuar këto vlera dhe parime themelore bie në kundërshtim me integritetin tonë moral, intelektual, njerëzor, shoqëror dhe për rrjedhojë edhe me vlerat themelore mbi të cilat është ndërtuar dhe qëndron ky formacion politik. ⮚ Republika e Shqipërisë prej vitit 1912, veçanërisht prej datës 28 Nëntor të këtij viti është Republikë dhe shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik dhe i pandashëm, i qeverisur nga përfaqësuesit e zgjedhur të popullit në mënyrë demokratike.
Këta përfqasues të popullit duhet t’i respektojnë dhe t’i mbrojnë të drejtat e garantuara të nënshtetsave shqiptarë, bashkë me pasurinë, Atdheun, integritetin territorial të Republikës, Shtetin, jetën dhe shëndetin e tyre. Ata duhet të mbrojnë të drejtën e tyre për të mos u detyruar të fusin apo të injektojnë në trupat e tyre asnjë medikament, injeksion, ilaç, trajtim mjekësor, pa miratimin dhe vullnetin e tyre të lirë, të drejta këto të garantuara me tekstin dhe me frymën e Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë dhe në Kartën Universale të të Drejtave të Njeriut. Cdo tentativë për të tjetërsuar këtë frymë dhe këtë kontekst kuptimor dhe vleror të lirisë dhe të të drejtave të njeriut, do të konsiderohet aktivitet gjenocidal dhe do të ndiqet penalisht përpara Drejtësisë, herët a vonë.
Ne besojmë se Demokracia aktive dhe pjesëmarrëse e çdo qytetari është sistemi më i mirë i mundshëm për të garantuar shprehjen e vullnetit të popullit dhe për të organizuar jetën civile dhe qytetare në Republikën e Shqipërisë. ⮚ Lëvizja Atdheu angazhohet për Shtetin e së Drejtes, Shtetin (Adminstratën) e vogël dhe për një shoqëri të drejtë, me të drejta të barabarta për të gjithë njësoj dhe synon perfaqesimin e çdo kategorie shoqërore përmes votës së lirë dhe demokratike. Lëvizja Atdheu është për Shtetin që krijon kushtet e barabarta për punë, për konkurencë të lirë, nxit dhe mbështet aftësitë individuale dhe të spikatura, respekton aftësitë e disa individëve për të qenë më të spikatur dhe për të fituar më shumë se të tjerët, por kjo bazuar ,mbi aftësitë e tyre jo mbi lidhjet e ngushta konjukturale me shtetin dhe përdorjen e favoreve dhe të resurseve të tij.
Në të njejtën kohë, edhe pse respekton kapitalin, konkurencën, djersën, profesionalizmin dhe punën e ndershme, banzuar mbi rregullat e ekonomisë së tregut, LA qëndron pranë shtresave në nevojë duke mbështetur, nxitur dhe duke u angazhuar me nisma politike dhe ekonomike që kanë për qëllim eleminimin e barrierave sociale, shëndetësore, arsimore që e vendosin një individ apo një grup individësh në pozicion inferior apo të pabarabartë në raport me pjesën tjetër të shoqërisë. Pasi shteti ofron kushtet dhe mbështetjen e tij, krijohet klima që të gjithë anëtarët e shoqërisë ta nisin jetën dhe garën të barabartë. ⮚ Anëtarësimi në Lëvizjen Atdheu është i hapur për të gjithë ata qytetarë shqiptarë, të cilët ndajnë me ne vlerat e lartpërmendura dhe njohin e pranojnë platformën politike të kësaj lëvizje. Patriotizmi nuk ka për të vdekur kurrë dhe askush nuk është më i rëndësishëm se Shqipëria!
Me Besë dhe për Hir të Perëndisë, t’i shërbejmë Shqipërisë!
Ky është betimi ynë i madh!
Me respekt dhe konsiderata
Kryetari i Lëvizjes Atdheu
Kreshnik Osmani